Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Salla e Kuvendit e mbyllur, Tahiri: Kosova s’mund të mbahet peng nga kalkulimet e Kurtit, askush mbi Kushtetutën dhe Republikën

Gazeta10
16 August 2026 - 11:43

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar sot se bllokimi i Kuvendit të nuk është më vetëm një krizë politike, por çështje e mbrojtjes së rendit kushtetues, institucioneve dhe vetë Republikës.

Pasi PDK-ja për herë të tretë kërkoi zyrtarisht vazhdimin e seancës konstituive në përputhje me afatin prej 48 orësh të paraparë me Rregulloren e Kuvendit për vazhdimin, Tahiri tha para dyerve të mbyllura të sallës kryesorw atje se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të refuzojë thirrjen dhe zhvillimin e seancës, duke e mbajtur Kuvendin të bllokuar dhe institucionet peng të kalkulimeve politike.

“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se liria dhe shteti i Kosovës janë rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se askush nuk mund t’i trajtojë institucionet e Republikës si pronë personale apo si instrument për interesa partiake.

“Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit. Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është garancia se institucionet nuk mund të shndërrohen në instrument të një individi dhe se askush nuk është mbi Republikën. As Albin Kurti”, tha ai.

Tahiri tha se Kosova nuk mund të mbahet peng derisa Albin Kurti t’i zgjidhë problemet dhe kalkulimet e veta politike, duke theksuar se Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e shtetit nuk janë pronë e asnjë individi.

“Vota të jep mandat. Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin. Pushteti në demokraci nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi, është i kufizuar dhe është i përkohshëm. Mbi të qëndron Kushtetuta”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, çdo ditë e humbur në këtë ngërç institucional është një ditë e humbur për qytetarët e Kosovës, ndërsa përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas procedurave, interpretimeve apo kalkulimeve partiake.

“Nuk mund të jesh njëkohësisht pjesë qendrore e bllokadës dhe të paraqitesh si viktimë e saj. Nuk mund t’i bllokosh institucionet dhe pastaj të pyesësh pse institucionet nuk funksionojnë. Nuk mund ta mbash Republikën në pritje dhe pastaj ta quash këtë normalitet demokratik”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se kjo betejë nuk bëhet për privilegje apo për pushtet, por për një standard kushtetues që duhet të vlejë njësoj për secilën parti, pavarësisht se kush është në qeverisje dhe kush në opozitë.

“Ne nuk kërkojmë privilegj. Nuk kërkojmë përjashtim. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkojmë funksionimin e Republikës. Kërkojmë që Kuvendi ta ushtrojë rolin e tij dhe që institucionet të mos mbahen peng i kalkulimeve të një partie”, theksoi Tahiri.

Ai rikujtoi se Republika e Kosovës, e shpallur e pavarur dhe demokratike më 17 shkurt 2008, ka Kushtetutën si aktin më të lartë juridik dhe tha se niveli aktual i shpërfilljes së rendit kushtetues është i papranueshëm.

Tahiri tha se PDK-ja nuk do ta pranojë si normalitet bllokimin institucional dhe as idenë se Kosova duhet të presë derisa një individ të gjejë një zgjidhje politike që i përshtatet atij.

“Republika nuk fillon me Albin Kurtin dhe Republika nuk përfundon me Albin Kurtin. Qeveritë ndryshojnë, kryeministrat ndryshojnë, deputetët dhe shumicat ndryshojnë. Republika mbetet”, deklaroi ai.

Në fund, Tahiri tha se PDK-ja do të vazhdojë të kërkojë rikthimin e menjëhershëm të funksionimit kushtetues të Kuvendit dhe lirimin e institucioneve nga kalkulimet politike.

“Mbi deputetin është ligji. Mbi kryeministrin është Kushtetuta. Mbi partinë është institucioni. Mbi pushtetin është Republika. Askush mbi Kushtetutën, askush mbi ligjin, askush mbi institucionet dhe askush mbi Republikën – as sot, as nesër, asnjëherë”, përfundoi Tahiri.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.