
Një anëtar i lartë i partisë liberale ruse “Yabloko” u dënua të hënën me 11 vjet e një muaj burgim për shkak se kishte dënuar luftën në Ukrainë, të cilën e përshkroi gjatë gjyqit si një katastrofë për Rusinë, shkruan Reuters.
Lev Shlosberg, nënkryetari i partisë, u akuzua për diskreditim të forcave të armatosura të Rusisë dhe për përhapje të informacioneve të rreme rreth tyre.
Në fjalën përmbyllëse para gjykatës në qytetin e Pskovit të premten e kaluar, ai këmbënguli në pafajësinë e tij, tha se ishte viktimë e një gjyqi politik dhe përsëriti thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në luftën që zgjat prej katër vitesh e gjysmë.
Vendimi, i publikuar nga gjykata, pason një vendim të 10 gushtit të Gjykatës Supreme të Rusisë për të ndaluar partinë “Yabloko” që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm.
“Yabloko” – e vetmja parti politike e regjistruar që ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës – është përballur me presion të madh nga autoritetet në prag të zgjedhjeve, ku çdo votë e konsiderueshme kundër luftës mund ta kishte vënë Kremlinin në pozitë të vështirë.
Shlosberg e shfrytëzoi fjalimin e tij përmbyllës për të bërë një denoncim të ashpër të luftës.
“Jeta e mijëra e mijëra njerëzve është ndërprerë gjatë kësaj periudhe. Herët a vonë, shifra e saktë dhe e plotë e të vdekurve – përfshirë emrat – do të bëhet publike dhe i gjithë kombi do të tronditet nga kjo listë dëshmorësh,” tha ai, sipas një transkripti të publikuar nga Mediazona.
“Sot, varrezat në vendin tonë, përfshirë ato ushtarake, po shtohen shumë më shpejt sesa maternitetet, kopshtet dhe shkollat,” tha ai.
Mediazona dhe shërbimi rus i BBC-së kanë regjistruar emrat e të paktën 239.354 ushtarakëve rusë të vdekur, bazuar në të dhënat e disponueshme publikisht.
Duke u bazuar në regjistrat e trashëgimive të personave të vdekur – të cilat i përdorën për të llogaritur vdekshmërinë shtesë te burrat rusë – ata vlerësojnë se shifra reale e viktimave kalon 350.000.
As Rusia dhe as Ukraina nuk publikojnë shifra të përditësuara të viktimave.
Moska thotë se po lufton për të përballuar kërcënimet e sigurisë nga NATO-ja dhe Ukraina, si dhe për të mbrojtur të drejtat e rusishtfolësve që jetojnë në Ukrainë.
Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë i hedhin poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si pretekst të rremë për nisjen e konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.