
Një aksident i rëndë në vendin e punës ka përfunduar me fatalitet. Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Haxhi Gojnovci, 59-vjeçar, ka humbur jetën të dielën mbrëma, derisa ishte duke kryer detyrat e tij në zonën e eskavatorëve. Rasti ka rikthyer në vëmendje sigurinë në vendet e punës dhe shqetësimet për kushtet dhe mbrojtjen e punëtorëve në Kosovë.
Një punëtor i Koorporatës Energjetike të Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
Haxhi Gojnovci, 59-vjeçar, vdiq të dielën mbrëma, derisa ishte duke kryer detyrat e tij të punës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, aksidenti ndodhi gjatë lëvizjes së Gojnovcit në zonën e eskavatorit.
“Më 16.08.2026, gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e eskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij”.
Raste të tilla të vdekjeve në vendin e punës janë bërë të shpeshta në Kosovë.
Këto raste, drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha, i ka cilësuar si mjaft shqetësuese, ndërsa ka thënë se ato shpërfaqin kushtet e dobëta të punës në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se kontrollet nga Inspektorati i Punës janë shtuar muajve të fundit, por duhet më shumë kujdes edhe nga ana e punëtorëve.
Pavarësisht kontrolleve dhe masave të ndërmarra, siguria në vendin e punës mbetet një nga sfidat kryesore për punëtorët në Kosovë.
Çdo aksident fatal rikthen në vëmendje nevojën për zbatim më të rreptë të masave të sigurisë dhe mbrojtjes së punëtorëve.