
Përplasjet politike për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë, ndërsa seanca konstituive ende nuk është thirrur për vazhdim. PDK-ja i ka kërkuar sërish kryesuesit Avni Dehari që seanca të mbahet më 18 gusht, ndërsa AAK-ja ka paralajmëruar dërgimin në Prokurori të vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë. Për këtë situatë, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Derisa seanca për Kuvendin ende nuk është thirrur, partitë opozitare po vazhdojnë aktivitetet dhe kritikat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Tash e disa ditë, përpara objektit të Qeverisë së Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës po mban aksion simbolik në shenjë pakënaqësie për moskonstituimin e Kuvendit.
Kjo parti sërish i është drejtuar kryesuesit Avni Dehari, për vazhdimin e seancës konstituive.
Në letrën e dërguar në adresën e Deharit deputetët e PDK-së kanë kërkuar që seanca të mbahet nesër, më 18 gusht, me fillim nga ora 11:00.
Në aksionin e mbajtur para Qeverisë, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij.
Deklarime për situatën e krijuar pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë në detyrë për shkelje të ligjit dhe përpjekje për ta vënë administratën shtetërore në funksion të një partie politike, duke marrë vendime për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, synojnë emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.
Tahiri ka paralajmëruar se partia të cilës i takon do ta dërgojë në Prokurori çështjen e këtyre vendimeve të marra më 12 gusht nga qeveria në detyrë
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka hezituar të flasë për situatën politike.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Podujevës, Kurti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për kthimin në Kuvend dhe vazhdimin e seancës për konstituim të Kuvendit, por edhe për formimin e institucioneve të tjera.
Ndërkohë, të marten Haxhiu ka ftuar partitë politike për takim, por PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar të marrin pjesë.
Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht. /KANAL10