
Një person me inicialet I.Ç. është arrestuar në Prizren nën dyshimin se ka lëshuar rreth 1.679 diploma të aftësimit profesional pa organizuar trajnime teorike dhe praktike, duke përfituar afërsisht 500 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.”, po hetohet për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.
Sipas dyshimeve të deritanishme, në diploma paraqitej se kandidatët i kishin përfunduar me sukses trajnimet për profesione të ndryshme, megjithëse ato nuk ishin zhvilluar.
Dokumentet dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.
Prokuroria ka bërë të ditur se diplomat dyshohet të jenë lëshuar nga viti 2019 deri më tani, ndërsa për secilën prej tyre pretendohet se janë paguar rreth 300 euro.
Hetimet kanë nisur pas informatave të pranuara nga një organizatë joqeveritare vendore. Më pas, Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar urdhër për kontroll, i cili është zbatuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët tatimorë.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar 333 diploma profesionale të vulosura dhe të pavulosura me emrat e kandidatëve, dy pajisje kompjuterike, dy USB, tri vula biznesi dhe telefoni i të dyshuarit.
Autoritetet kanë konfiskuar gjithashtu 11 fleta me shënime për borxhet dhe pagesat, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.
Sipas Prokurorisë, provat e siguruara ngrenë dyshime se qendra nuk ka qenë e akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe as e autorizuar për ofrimin, vlerësimin apo certifikimin e kualifikimeve profesionale.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor pritet të vlerësohet paraqitja e kërkesës për caktimin e një mase për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria dhe Policia u kanë bërë thirrje qytetarëve që dyshojnë se janë mashtruar ose dëmtuar gjatë pajisjes me diploma nga kjo qendër, që ta raportojnë rastin.