Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Sqarimi i KEK: Kontrata me JSC ESM është vetëm për shitje të qymyrit, asgjë tjetër

Gazeta10
20 August 2026 - 14:52

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj deklarimeve lidhur me kontratën për shitjen e qymyrit me JSC ESM, duke mohuar se marrëveshja përmban ndonjë dispozitë për koncesion të qymyrit, minierave, aseteve apo resurseve të Korporatës.

Sipas KEK-ut, objekti i kontratës është vetëm shitja e qymyrit, me çmim prej 24.4 euro për ton pa TVSH, për një periudhë 36-mujore dhe me vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro.

“Në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë për koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e KEK-ut. Objekti i saj është i qartë: SHITJA E QYMYRIT”, thuhet në reagim të korporatës.

KEK-u ka theksuar se kontrata dhe dosja e tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe mund të verifikohen nga të interesuarit.

Sipas Korporatës, kontrata parasheh shitje direkte te përdoruesi përfundimtar, pa ndërmjetësues.

Po ashtu, KEK-u ka bërë të ditur se nuk merr përsipër eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit.
“Kjo e mban realizimin e kontratës të ndarë nga proceset operative të Korporatës dhe garanton se shitja e kësaj sasie të qymyrit nuk cenon operimet minerare, furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike”, thuhet në reagim.

KEK-u ka theksuar se nevojat e termocentraleve mbeten “prioritet absolut”, ndërsa paraqitjen e kontratës si koncesion e ka cilësuar të pabazuar dhe në kundërshtim me përmbajtjen e dokumentit.

“Transparenca është obligim. Faktet janë të verifikueshme. Kontrata është publike. Në kontratë nuk ka koncesion”, përfundon reagimi i KEK-ut.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.