Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Shteti Bektashi”, “Kutia e Pandorës” që rrezikon sovranitetin e shtetit shqiptar

Gazeta10
20 August 2026 - 15:29
Shkruan: Fadil Maloku

Ditëve të fundit është duke e tunduar mjaft opinionin e gjerë shqiptar tema e planeve të “ajatullahut” shqiptar Edi Rama, për të krijuar një enklavë sovrane të stilit të Vatikanit në Tiranë, me administratë, pasaporta dhe kufij, dhe se emri i propozuar do të ishte “Sovereign State of the Bektashi Order” — Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi (shih artikullin: https://www.nytimes.com/2024/09/21/world/europe/albania-tirana-muslim-state-bektashi.html), që është një artikull i Andrew Higgins, botuar më 21 shtator 2024 në The New York Times.

Lajm ky pa asnjë dyshim ogurzi për Shqipërinë, edhe për faktin se i njëjti, pa i kaluar procedurat parlamentare e kushtetuese të vendit, po tentohet të katapultohet ad hoc në mënyrë ilegale, ashtu sikurse edhe Zvërneci, Sazani e shumë projekte të tjera që seriozisht do të mund ta shpërbënin edhe këtë pak territor të mbetur të Shqipërisë Londineze. Ajo çfarë jam i interesuar të elaboroj rreth kësaj çështjeje ka të bëjë kryesisht me rreziqet potenciale nga ky “lloj shteti”.

Fillimisht, më duhet t’ua sqaroj publikut që mund ta keqkuptojë këtë iniciativë se rreziku potencial nuk fshihet te bektashizmi si fe, i cili historikisht ka pasur një rol të rëndësishëm në kulturën, mentalitetin dhe etnopsikologjinë shqiptare dhe në modelin e koegzistencës unike fetare. Ajo çfarë më zgjon kureshtjen dhe më nxiti që, nga aspekti i një sociologjie të religjionit, ta kuptoj problematikën, është transformimi i një komuniteti fetar me një traditë relativisht të largët në një subjekt apo entitet me sovranitet territorial.

Paraprakisht, më duhet t’ua përkujtoj gjithë shqiptarëve kudo se Kushtetuta aktuale e Shqipërisë e përcakton vendin shumë qartë si republikë parlamentare dhe si shtet unitar e të pandashëm, ku sovraniteti i takon popullit, që e garanton bashkëjetesën fetare dhe neutralitetin shtetëror.

Tani, kjo nismë e “ajatullahut” shqiptar ende nuk po arrin ta kuptojë gjënë elementare: sa herë që ndonjë komunitet fetar tenton të uzurpojë territor (ashtu sikurse ka ndodhur në të kaluarën tonë jo fort të largët…) dhe kompetenca sovrane, feja si entitet, me automatizëm, pretendon të kalojë nga kategoria identitare fetare në kategori politike. Dhe ky lloj “kalimi” prej një entiteti fetar në atë politik, edhe naivët më të mëdhenj e kuptojnë se nuk mund të bëhet pa pasoja dhe reperkusione evidente.

Mirëpo, këtu, sa po kuptoj, nuk është çështja se: “A janë bektashinjtë të rrezikshëm, me këtë eksteritorialitet të fituar nga ‘ajatollahu’ në një shtet të copëtuar në të kaluarën”? Por, çfarë mund të ndodhë kur një identitet fetar institucionalizohet dhe proklamohet si sovranitet territorial?

Dorën në zemër, kjo pyetje, përveçse është një precedent i rrezikshëm, është edhe alarmuese për faktin se fut përçarje midis entiteteve fetare, minon tolerancën, kërcënon sovranitetin dhe konteston rendin kushtetues!? Ngase, nëse një entiteti fetar i lejohet ta ketë “shtetin e vet” përbrenda një shteti me traditë përtej një shekulli, pse duhet ta pengojë një entitet tjetër të kërkojë një copë “territori e sovraniteti mysliman, ortodoks apo katolik”? Pra, precedenti për njërin entitet fetar, automatikisht e hap “kutinë e Pandorës” për ta ripërsëritur të njëjtin. Dhe ajo çfarë është edhe më e rrezikshme, një precedent i tillë i pamenduar nga shteti krijon kushte për zhvendosjen e shoqërisë nga modeli aktual, ku “qytetarët ushtrojnë besime të ndryshme”, drejt modelit ku “komunitetet fetare pronësojnë ligjërisht territore dhe interesa politike të veçanta për veten e tyre”.

Thënë edhe më ndryshe, precedenti në fjalë definitivisht e rrënon çatinë e narrativës mbi tolerancën dhe dallimet ndërfetare shekullore te shqiptarët. Që në sociologjinë e religjionit njihet si “institutionalization of difference” — institucionalizim i qëllimshëm i dallimeve.

Një tjetër çështje që po ashtu mendoj se është ajo e analogjisë apo e “vatikanizimit” të enklavës së “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” me shtetin e Vatikanit. Kjo analogji, përveçse është e paqëndrueshme, është edhe absurde, me vetë faktin se “Shteti Sovran…” asnjëherë në historinë e qenësimit të vet nuk ka pasur të njëjtin rol, pasion e pretendim në marrëdhëniet ndërkombëtare sikurse Selia e Shenjtë. Në gjykimin tim, dilema “hamletiane” ka të bëjë shumë më shumë me temën: A po tentohet të krijohet një “Vatikan mysliman”, apo po krijohet një model krejt i ri i sovranitetit fetar në miniaturë?

Lexuesi i rëndomtë nuk e kupton këtë dallim substancial, edhe për arsye se ky projekt, i motivuar nga toleranca fetare, ekziston rrezik real që nesër të prodhojë një polarizim të padurueshëm fetar, ku secili entitet tjetër fetar mund të shtrojë të njëjtën kërkesë: “Pse ata kanë shtet e ne jo?”, duke amputuar kështu panevojshëm atë ndjenjën e “privimit relativ” (relative deprivation) në jetën publike për entitetet e tjera fetare.

Pra, duke toleruar që edhe ligjërisht të dublifikohet roli i shtetit (laik) shqiptar, nga një shtet laik në një shtet që menaxhon entitete fetare, ne, në fakt, përveç precedentit të lartcekur, po krijojmë një “centaur” hibrid të shtetit që askund s’mund ta hasësh në gjithë rruzullin tokësor. Dhe, si e tillë, narrativa për një enklavë puro fetare e synuar nga “ajatullahu” shqiptar Edi Rama nuk duhet parë vetëm me “dioptrinë e kilometrave katrorë që do të zërë në hapësirën e sovranitetit”, por parasëgjithash si një precedent unik sociologjik që mund të kërcënojë gjithë arkitekturën e shtetit shqiptar, por edhe atë të interesave gjeostrategjike të Ballkanit, ku këtu nuk duhet harruar edhe pretendimet e Kishës Ortodokse sllave (serbe) në Kosovë… që mund të jetë brumë për një analizë tjetër të radhës…

/Autori është profesor i Sociologjisë në UP/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.