
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, sot në konferencën për media ku ekspozuan armët e gjetura e të konfiskuara në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut ku u gjetën së fundmi varreza masive e mbetje kockore, u pyet nga gazetarët për lidhjen që mund të ketë ky armatim i gjetur me masakrat atje.
Hoxha në përgjigje tha se kësaj pyetje përgjigje do t’i japë rezultati nga ekzaminimit të armëve të sekuestruara në laboratorë.
“Normal që këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive te rasti i Grupit të Intelektualëve, mirëpo këto mbeten për t’u verifikuar pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe të dërgohen jashtë nëse ka nevojë. Por, mbetet një informacion që duhet të verifikohet. Sidoqoftë, këto janë armë ilegale të gjitha dhe do të ekzaminohen një nga një derisa të vijmë te rezultati konkret”.
Më pas, ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se këto ekzaminime do të kryhen me prioritet.
“Tashmë Agjencia e Forenzikës, kam urdhëruar që me prioritet për të ekzaminuar këto armë. Qe nga momenti që përfundon kjo konferencë, gjithë ky armatim do të shkojë në Agjencinë e Forenzikës, e cila në bashkëpunim me policët që janë të kyçur në hetim të i procedojnë me urgjencë. Në momentin e parë që kemi informata të bazuara në shkencë, patjetër që policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, qoftë në hetim apo edhe në sjelljen para përgjegjësisë të cilitdo që është i përfshirë në këtë masakër dhe ne do të njoftojmë menjëherë publikun”, tha ai.