Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Grabitet një shtëpi në Leposaviq, vidhen 12 mijë euro, 40 mijë dinarë e ari, policia kap tre të dyshuar, i katërti në arrati

Gazeta10
22 August 2026 - 8:58

Tre persona janë arrestuar në Leposaviq për vjedhje të rëndë, ndërsa policia tha se është pas edhe një të dyshuari të katërt.

Policia tha se rasti u raportua me 20 gusht në Stacionin Policor në Leposaviq.

“Bazuar në deklarimin e ankuesit, person/a të panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e tij dhe nga aty kishin vjedhur 12,000 euro, 40,000 dinarë, si dhe dy zinxhirë ari. Rasti kishte ndodhur në kohën kur në shtëpi nuk ndodhej askush”, tha policia.

Pas pranimit të informacionit, policia shtoi se rasti ka kaluar për trajtim dhe hetim tek Njësia Rajonale e Hetimeve Mitrovicë Veri. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, si dhe bashkëpunimit me qytetarët policia ka arritur që, brenda një kohe të shkurtër, të identifikojë katër persona të dyshuar në lidhje me rastin.

Prej tyre, tre persona janë arrestuar, ndërsa një person i dyshuar vazhdon të jetë në kërkim nga Policia.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë realizuar kontrolle në adresat e banimit të personave të arrestuar:

– N.V. (2006), i arrestuar në fshatin Borovë, Leposaviq. Gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur një fishek për pistoletë.

– N.L. (2007), i arrestuar në Leshak, Leposaviq. Gjatë kontrollit, tek i njëjti janë gjetur 5,300 euro, të cilat dyshohet se janë para të përfituara nga rasti.

Të dy këta persona, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa personi i tretë i arrestuar, D.M. (2009), është liruar në procedurë të rregullt.

Policia thotë se bazuar në hetimet e zhvilluara edhe në rastet e tjera të raportuara të vjedhjeve, është vërejtur se raste të tilla ndodhin më së shpeshti në kohën kur pronarët nuk ndodhen në shtëpitë apo banesat e tyre dhe ato lihen pa mbikëqyrje.

“Andaj, Policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe kur largohen nga shtëpitë e tyre, të sigurohen që ato të jenë nën përkujdesjen e ndonjë familjari apo personi të besueshëm. Po ashtu, qytetarët këshillohen që, kur është e mundur, gjërat me vlerë të mos lihen në shtëpi pa mbikëqyrje.  Policia mbetet e përkushtuar që personat që kryejnë vepra penale të arrestohen dhe të sillen para organeve të drejtësisë”.

Policia ftoi qytetarët të raportojnë raste.

“Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët ftohen të raportojnë në numrin 192”.

Nga Rubrika
Lajme
22 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.