Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

Për Kishën në Zogaj!

Gazeta10
23 August 2026 - 17:59
Shkruan: Halil Matoshi

Nji grup etnik shtyhej drejt zhbâmjes nga makineria fashiste e Milošević-it.

Gjatë luftës në Kosovë më 1999, prifti katolik i Kishës së Shën Ndout në Gllogjan, Dom Kelmend Spaqi, (dekun sivjet) strehoi qindra shqiptarë myslimanë të ndjekun nga votrat e tyne.

Për me u bâ me dije vaktet e iftarit dhe të syfyrit gjatë muajit të Ramazanit dhe me i njoftue e mbajtun bashkë, pa dallim feje, Dom Kelmendi i binte këmbanës së kishës, tue rreziku jetën e tina p’ej forcave të fashizmit serbian.

Nuk âsht veç nji shembull vllaznillaku.

Âsht ekumenizëm.

Thjesht humanizëm.

(Gjashtë lekcione në mbrojtje të lirisë)

1.

Në nji shoqni politike e t’emancipueme qytetnisht, e në nji shtet kushtetues e të drejtë, duhet që sejcilli individ me u nie i lirë në vullnetin e tij, i dobishëm e i dëshirueshëm në Atdheun e tij, me identitetet e veta të shumëfishta, me fenë që e beson, në ateizëm, ose pa asnji fe!?

Friga nga numrat e vegjël dmth me pasë droe se po bâhemj si ata, e jo pse ata janë të ndryshëm p’ej nesh, po pse ata po e thejnë dominimin tonë.

E nuk ka ma humane se kërkesat e pakicave, kofshin ato fetare apo ateiste, kombëtare apo etnike, politike e kulturore.

2.

Nji Kishë Katolike në Zogaj të Vushtrrisë (natyrisht me leje komune, që dëshmon besnikni ndaj shtetit ligjor) nuk i pengon dinjitarët e fesë islame (shqiptarët europeanë që besojnë idlamin) por konvertitët, që dikur për Enverin e Miladinin vritshin vllaun biologjik, e sot kanë vù turbanë e veshë shalvare talebanësh, me u doktë të veçantë dhe ma ngat Zotit!?

Nëse këta njerëz – besojnë në Zot, lejoj që të më priten të dyja kambët – thojke dikur nji burrë i meçem për dogmatët komunista.

3.

Myslimanët e urtë ruejn imanin, (besim i plotë dhe i palëkundun që nënkupton dorëzimin besimit të pastër që buron nga zemra, vërtetohet me fjalë dhe dëshmohet me vepra) pa i lëndu shpirtnat tjerë.

E ju që besoni islamin çka po dëshmoni?

Fuqi. Dominim. Anmiqsi?

Çka po kundërshtoni ju, në emën të islamit?

Që vllaznia juej mos me pasë liri sa ju!?

Ose u dishironi ma pak të dejta?

Atdhetarët e vërtet shqiptarë kurrë nuk ngriten kundër nji faltorje katolike, që shpreh nji vullnet të vllaznive të nji zjermi.

Leni njerëzit ta ndjejnë lirinë e të qenit ashtu qysh dojnë, e me ju falë Zotit ashtu siç ata besojnë!

4.

Ju nuk jeni ata që ua kini falë lirinë atyne që ndjehen t’kshtenë.

Për me ua kufizu. Askush kurrë askujt nuk i falë liri.

5.

Liria fitohet!

6.

Unë nji agonstik, qytetar i evidentuem në rubrikën “asnji fe”, ja respektoj sejcillit me perulsi të drejten me besu.

Të gjitha besimet që akëcilli pëlqeni.

Liria e besimit âsht nga ato liritë e panegociueshme me askân dhe mbrohet me Kushtetutë.

Por mos pritni nga unë që në shekullin 21 me jau respektu idetë e shpellës!?b

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
04 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.