
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, në ora 18:00, lidhur me çështjen e Presidentit.
Takimi do të mbahet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë takim, siç është paralajmëruar më herët, pritet të diskutohet për emrat konkretë për pozitën e të parit të shtetit.
Të mërkurën gjatë ditës, nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se VV-ja i ka emrat për President, por nuk i bëri publike.
“Lëvizja Vetëvendosje unë vetëm po them se është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit”, tha Konjufca.
Kurti dhe Abdixhiku për çështjen e Presidentit u takuan për herë të fundit më 18 gusht.
Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkretë.
Ndërkohë, Kuvendi po vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse afati kushtetues ka kaluar që nga 7 gushti.
Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kanë thënë se duhet marrëveshje për Presidentin.
Nga ana tjetër, opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, e kanë akuzuar VV-në për “cenim të rendit kushtetues”.
Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.