
Punëtorët e sektorit privat i kanë dhënë kohë edhe një javë ekzekutivit që të plotësojë kërkesën e tyre për shtesa në paga, përndryshe kanë paralajmëruar protesta. Ndonëse ishte paraparë që vendimi për protesta të merrej të premten, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Parivat, Jusuf Azemi ka thënë se i kanë dhënë kohë qeverisë edhe një javë që të reflektojë.
Raporti:Arbenita Ilazi
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri në javën e ardhshme që të ndajë shtesa prej 50 euro edhe për punëtorët e këtij sektori, përndryshe ka paralajmëruar protesta.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi në një konferencë të mbajtur për medie ka thënë se kanë vendosur që t’i japin kohë ekzekutivit edhe një javë për përmbushjen e kërkesës së tyre.
Azemi ka thënë se me vendimet e marra nga qeveria, punëtorëve të sektorit privat ju është bërë padrejtësi.
Mirëpo, përkundër ultimatumit të dhënë nga punëtorët e sektorit privat, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nuk do të ndajnë mjete shtesë për ta.
Ai është shprehur se fitimi i bizneseve është më i lartë se që ka qenë mëherët, andaj edhe sipas tij, të njëjtat kanë hapësirë që t’i rrisin pagat e punëtorëve.
Qeveria e Kosovës në masat për të luftuar inflacionin ka marrë vendim që të ndajë shtesa prej 50 eurove për tre muaj rresht për punonjësit e sektorit publik si dhe shtesa prej 100 eurove për pensionistët dhe studentët.
Ndërkaq, shtesa nuk janë paraparë edhe për punëtorët e sektorit privat./Gazeta10