
Në mungesë të ish-deputetit Pal Lekaj i cili ndodhej jashtë vendit dhe mbrojtësit të tij, avokatit Musa Damati, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lekaj ngarkohet për hedhje të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor 2015.
Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjyqtarja e rastit, Edita Çanta, deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati, me anë të parashtresës e ka njoftuar Gjykatën se Lekaj nuk mund të jetë prezent në seancën e së enjtes, andaj ka kërkuar që të shtyhet për një datë tjetër.
“Mungon i pandehuri Pal Lekaj me avokatin e tij i cili me anë të parashtresës e ka njoftuar gjykatën që nuk mund të prezantojnë në seancë pasi që i pandehuri gjendet jashtë shtetit për arsye objektive të agjendës së tij private”, tha gjyqtarja Çanta.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca u shty për një datë tjetër.
Prezent në shqyrtim gjyqësor ishte vetëm prokurori Dardan Çela.
Në seancën e mbajtur më 30 prill 2025, Lekaj ishte deklaruar i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.
Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.