Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbahet seanca gjyqësore për rastin e barrikadave në veri

Gazeta10
31 August 2026 - 9:06

Sot pritet të mbahet seanca gjyqësore në rastin e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022.

Në këtë rast akuzohen Dushan Maksimoviç, Milosh Radosavljeviç, Nemanja Joloviç, Dushan Drobaç, Srdjan Vuçiniç dhe Nenad Orloviç.

Seanca fillestare ndaj gjashtë të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte shtyrë në muajin korrik, pasi në gjykatë nuk ishin paraqitur dy prej të akuzuarve.

Gjyqtari i çështjes, Rrahman Beqiri, kishte bërë të ditur se Dushan Maksimoviç nuk ishte sjellë nga paraburgimi. Gjykata ishte njoftuar paraprakisht se avokati i tij, Mahmut Halimi, nuk do të merrte pjesë në seancë për shkak të një angazhimi tjetër gjyqësor në Mitrovicë, në një rast ku ishte caktuar masa e paraburgimit.

Në seancën e kaluar kishte munguar edhe i akuzuari Nemanja Joloviç. Sipas gjykatës, ftesa për seancë nuk kishte arritur t’i dorëzohej, ndërsa Policia e Kosovës kishte njoftuar se, bazuar në informacionet e marra nga fqinjët, ai ishte shpërngulur në Serbi.

Për shkak të kësaj, gjykata kishte lëshuar urdhër për sjelljen e tij me detyrim, por ai nuk ishte gjetur në adresën e deklaruar.

Prokurori i rastit, Admir Shala, kishte propozuar që procedura ndaj Joloviçit të veçohej, në mënyrë që gjykimi të vazhdonte ndaj pesë të akuzuarve të tjerë. Megjithatë, kërkesa nuk ishte shqyrtuar, pasi mungesa e avokatit të Maksimoviçit e kishte bërë të pamundur zhvillimin e seancës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, gjashtë të akuzuarit dyshohen se kanë organizuar dhe ngritur barrikada në komunat veriore të Kosovës.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit, në bashkëkryerje dhe duke përdorur forcë e dhunë, kanë penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se rrugët kryesore ishin bllokuar me kamionë të ngarkuar me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën në dhjetor të vitit 2022, në kohën kur në atë pjesë të vendit kishte tensione lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet e hyrje-daljes për qytetarët serbë.

Serbët lokalë kishin kundërshtuar ndërrimin e targave të automjeteve dhe kishin bllokuar rrugët që çonin drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Një tjetër zhvillim që kishte ndikuar në ngritjen e barrikadave ishte arrestimi i ish-policit serb Dejan Pantiç në dhjetor të vitit 2022. Komuniteti lokal kishte kërkuar lirimin e tij dhe garanci për sigurinë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.