Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

PDK nis javën e katërt të protestës para Qeverisë, iu bashkohen aktivistë nga Skenderaj dhe Istogu

Gazeta10
31 August 2026 - 9:23

Në nisjen e javës së katërt të protestës së PDK-së para ndërtesës së Qeverisë, e të cilës i është bashkuar edhe Aleanca, të hënën protestës iu shtuan asamblistë dhe aktivistë të kësaj partie nga Skenderaj dhe Istogu.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, i bëri thirrje VV-së që të reflektojë mbi gjendjen aktuale dhe të themelohen institucionet e shtetit sa më parë.

“Sot do të dëshmojmë, në të njëjtën kohë të mbështesim fuqishëm deputetët që sot janë të pranishëm këtu dhe që janë vënë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të demokracisë, e cila po vazhdon të cenohet, dhe ne vlerësojmë si autoritete lokale në këtë rast që jemi pjesë integrale të sistemit kushtetues, se institucionet e Kosovës janë të themeluara mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë, dhe kemi obligim përtej bindjeve politike të mbrojmë institucionet tona, t’i ndërtojmë ato. Prandaj shfrytëzoj rastin në emër të Komunës së Skenderajt t’i bëj thirrje mazhorancës që të reflektojë dhe të marrë përgjegjësinë në atë që ia kanë dhënë qytetarët, të themelojnë institucionet e shtetit dhe të ecim përpara. Edhe një herë, ne do të jemi krah deputetëve të Republikës së Kosovës që janë mbrojtës të sovranitetit, të Kushtetutës dhe të rendit kushtetues të Republikës”, tha Nura.

Ali Nimanaj, nga dega e PDK-së në Istog, tregoi disa nga problemet e qytetit, për të cilat, sipas tij, duhet të konstituohet Kuvendi.

“Unë vij nga Istogu dhe një brengë e cila na preokupon të gjithëve, ku e dimë që komunat janë buzë kolapsit bazuar në vendimet të cilat e marrin buxhetet komunale dhe projektet kapitale të cilat kanë qenë të planifikuara tashmë janë të dëmtuara dhe nuk kanë mundësi të realizohen ato projekte. Kjo do të jetë një prej pikave kryesore që qeveria të konstituohet dhe të vazhdojë punën dhe t’ju dalë në ndihmë atyre, komunave dhe qytetarëve”, tha Nimanaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, u shpreh se kauza e tyre nuk është më vetëm e përfaqësuesve të Kuvendit, por e të gjithë qytetarëve.

“I falënderoj veçanërisht kolegët e Skenderajt dhe të Istogut, përfaqësues të tyre që kanë ardhur sot me na mbështet, që kjo kauzë më nuk është vetëm e përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës, por është edhe e të gjithë qytetarëve të vendit, sepse aty ku cenohet shteti, ku cenohet Kushtetuta, cenohet edhe interesi më i madh i qytetarëve, sepse aty merren edhe përgjegjësitë kryesore për t’i zgjidhur problemet e vendit. Dhe kur cenohet kjo Kushtetutë dhe vetë shteti i Kosovës, atëherë neve na keni përballë, sepse kemi edhe ne përgjegjësi që të mbrojmë Kushtetutën, shtetin, sepse Partia Demokratike e Kosovës ka qenë shtetformuese dhe sigurisht na takon më shumë se kurrë që të mbrojmë atë”, tha ai.

Ndërsa deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ftoi Kurtin “të mos bëjë hajgare” dhe të vijë në Kuvend për të vazhduar punët.

“Kosova që dy vite po përballet pa institucione dhe Kosova që dy vite ka shumë shqetësime, sfida të cilat po i kalon dhe të cilat kërkojnë zgjidhje. Andaj, ne jemi këtu, duhet të shkojmë në parlament, këto probleme, këto sfida t’i zgjidhim atje ku është vendi ku na ka dhënë besimin qytetari. Atëherë e ftoj edhe njëherë Albin Kurtin që të mos bëjë hajgare me besimin e qytetarëve të cilët ia kanë dhënë me 53 deputetë, të vijë në Kuvend, të krijojë institucionet dhe të vazhdojmë me punët të cilat me të vërtetë kemi shumë shqetësime, shumë sfida të cilat vendi ynë po i kalon. Andaj edhe njëherë: hajde në Kuvend, bëni institucionet dhe të vazhdojmë punën!“, tha Bytyqi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.