
Policia malazeze është vënë në kërkim të shtetasit rus Mihail Shabunjin, 30-vjeç, i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të trefishtë të hënën në Danilovgrad të Malit të Zi, raportonVijesti.
Sipas policisë, Shabunjin dyshohet se me armë zjarri ka vrarë Petar Globareviqin, 24-vjeç, nga Podgorica, Momir Radonjiqin, 67-vjeç, nga Danilovgradi, dhe Nemanja Kaporin, 20-vjeç, nga Podgorica. Të tre ishin të punësuar në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”, në afërsi të Danilovgradit.
Policia po verifikon nëse i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një “Seat Cordoba” me targa PG AC 472, automjet që, sipas Vijestit, është në pronësi të babait të njërit prej personave të vrarë. Forcat e rendit po zhvillojnë kërkime intensive për gjetjen dhe arrestimin e tij, ndërsa kanë paralajmëruar se ai konsiderohet i armatosur.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos i afrohen të dyshuarit.
Ajo ka kërkuar që çdo informacion për vendndodhjen ose lëvizjet e Shabunjinit të raportohet në numrin policor 122, përmes aplikacionit “Policija CG” ose në mënyra të tjera, duke theksuar se informacioni mund të jepet edhe në mënyrë anonime.