Bashkimi Evropian i bëri thirrje të hënën Iranit të kufizojë programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike, të ndalojë aktivitetet që BE i konsideron destabilizuese dhe të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Rusinë.
Në një deklaratë të publikuar përpara takimit të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të G20-ës, që zhvillohet më 31 gusht dhe 1 shtator në Asheville të SHBA-së, BE i kërkoi gjithashtu Teheranit t’i japë fund “dhunës dhe represionit kundër popullit të vet”.
Blloku evropian theksoi nevojën për vijimin e përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore, për të rikthyer stabilitetin në rajon dhe për të garantuar lirinë e lundrimit dhe tranzitin e sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.
BE deklaroi se ka vendosur sanksione të gjera ndaj Iranit, me synimin për të parandaluar përdorimin e ekonomisë globale dhe sistemit financiar për financimin e aktiviteteve që, sipas bllokut, kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare.
Në përfundim, BE paralajmëroi se është i gatshëm të ndërmarrë masa të mëtejshme, nëse do të jetë e nevojshme për mbrojtjen e sigurisë dhe interesave të tij, përfshirë garantimin e lirisë së lundrimit në këtë rrugë ujore strategjike.