
Sot, njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, kanë përzgjedhur për kontroll një veturë.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare në shumën prej 30. 000 euro, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
“Dogana e Kosovës rikujton se, sipas nenit 33, paragrafit 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, personat që kalojnë kufirin e Kosovës, në hyrje ose dalje, duke bartur instrumente monetare prej 10,000.00 euro apo më shumë, përfshirë kundërvlerën në valuta të tjera, duhet të deklarojnë me shkrim pranë zyrtarit doganor shumën dhe burimin e verifikueshëm të tyre”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe të qarkullimit të paligjshëm të mjeteve monetare.