
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është pyetur në emisionin televiziv “Politiko” në Kanal 10 nëse do të ishte e udhës që institucionet dhe partitë politike të bashkoheshin në protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në përgjigjen e saj, Haxhiu tha se qëndrimi i saj ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i qartë dhe i pandryshuar, pavarësisht pozitës që ka mbajtur ndër vite.
“Qëndrimin për Gjykatën Speciale nuk kemi heshtur që ta themi, në çfarëdo pozite që kemi qenë – edhe si ministre, edhe si kryetare e Kuvendit, edhe si ushtruese e detyrës së presidentes”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se është shumë i rëndësishëm vullneti i qytetarëve për t’u solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së dhe përmes protestës për të kundërshtuar, siç u shpreh ajo, një proces të padrejtë.
“Menoj që është shumë e rëndësishme vullneti i qytetarëve që të solidarizohemi dhe, në anën tjetër, përmes protestës të dalim kundër një procesi të padrejtë”, tha Haxhiu.
Megjithatë, ajo theksoi se fillimisht duhet të vlerësohet se në çfarë forme institucionet mund të japin ndihmën më të madhe.
“Tash duhet me pa më parë si institucione në çfarë forme mund të ndihmojmë më shumë. A mund të ndihmojmë më shumë duke e theksuar që kërkesa e prokurorisë është e padrejtë dhe gjykata duhet ta korrigjojë, apo çka tjetër mund të bëjmë, apo që të dalim dhe të protestojmë. Pra, unë mendoj që duhet t’i bëjmë këto vlerësime”, u shpreh ushtruesja e detyrës së presidentes.Gazeta10