
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos votuar Bekim Sejdiun për President është qëndrim i drejtë, legjitim dhe dinjitoz.
Mustafa ka thënë se kjo nuk lidhet me një emër të përveçëm, por me parimin që LDK-ja mos të bëhet pjesë e marrëveshjeve jashtëkushtetuese.
“Qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së e konsideroj të drejtë, legjitim dhe dinjitoz. Këtë qëndrim nuk e shoh në relacion me një emër të veçantë për president, por me parimin që të mos bëhen pjesë e marrëveshjes dhe veprimeve jashtëkushtetuese. Veprimeve që e nënshtrojnë LDK-në dhe e bëjnë përgjegjëse për një proces i cili është në përgjegjësi të partisë e cila ka dalë e para në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ka folur edhe për votimin e Presidentit, ku tha se kjo çështje iu takon edhe subjekteve të tjera politike, pos VV-së dhe LDK-së.
Ai ka shtuar se deputetët nuk mund të detyrohen që të votojnë sipas qëndrimeve të forumeve të emëruara nga një individ.