
Egzon Pacolli i LDK-së ka thënë se gjashtë deputetët që kundërshtuan marrëveshjen me Vetëvendosjen për Bekim Sejdiun president, në zgjedhjet e fundit, kanë së bashku mbi 230 mijë vota.
Ai thotë se këto janë shifra që kërkojnë reflektim.
Pacolli ka shkruar se një Kryesi, siç ka thënë ai, e formuar në kundërshtim me Statutin, nuk mund t’ua imponojë vendimet deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.
10 anëtarë të Kryesisë, të cilët nuk janë deputetë dhe që kanë kandiduar për deputet në zgjedhjet e fundit, kanë marrë së bashku 81 mijë vota.
Ndërsa 6 deputetët kanë së bashku mbi 230 mijë vota.
Këto janë shifra që duhet të na bëjnë të reflektojmë.
Por përtej shifrave, është edhe një çështje parimi: Kryesia nuk mund t’ua imponojë vendimet deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.
Madje, vendimet e një Kryesie të formuar në kundërshtim me Statutin as nuk mund të imponohen, as të diskutohen si të ishin vendime të rregullta, e aq më pak të “respektohen”.
Nëse synimi ishte të diskutohej qëndrimi i deputetëve, pse fillimisht nuk u thirr mbledhja e Grupit Parlamentar, por mbledhja e Kryesisë?
Pse u zgjodh Kryesia para Grupit Parlamentar?
Sepse krijimi i opinionit publik dhe vendosja e deputetëve nën presion nuk është demokraci e brendshme. Është përpjekje për t’i kërcënuar politikisht përfaqësuesit e qytetarëve.
Deputetët nuk janë të emëruar nga Kryesia. Janë të zgjedhur nga populli.
LDK-ja nuk mund të funksionojë me imponim, presion dhe nënshtrim.