Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pas sulmit në Leipzig, Evropa dhe NATO gati t’i përgjigje Rusisë – Çfarë do të bëjë SHBA?

Gazeta10
02 September 2026 - 10:58

Tensionet mes Gjermanisë dhe Rusisë po përshkallëzohen pas incidentit me dron në aeroportin e Leipzigut. Berlini akuzon Moskën për një sulm hibrid, ndërsa Rusia i mohon kategorikisht këto akuza.

Në këtë situatë, Bashkimi Evropian dhe NATO po diskutojnë një përgjigje të përbashkët. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të zhvillojnë një takim ku në fokus do të jetë forcimi i bashkëpunimit kundër kërcënimeve hibride.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s po shqyrtojnë masa të reja ndaj Rusisë. Gjermania ka kërkuar që në nivel evropian të merren masa ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” ruse dhe të vendosen sanksione të tjera.

Berlini: Nuk është një incident i izoluar

Lexo po ashtuGjuajtja me armë në Podujevë, të plagosurit dhe i dyshuari transportohen në EmergjencëMinistri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, deklaroi se autoritetet gjermane kanë gjetur elemente që, sipas tyre, lidhin Rusinë me incidentin në Leipzig.

Bëhet fjalë për karakteristikat e dronit, pjesët e përdorura, eksplozivët dhe ngjashmëritë me mënyrën e veprimit të operacioneve të mëparshme ruse në Evropë.
Dobrindt tha se incidenti nuk duhet parë si një ngjarje e veçuar, por si pjesë e një fushate më të gjerë të operacioneve hibride.

“Ne nuk jemi në luftë, por jemi çdo ditë objektiv i luftës hibride”, deklaroi ministri gjerman.

Sipas autoriteteve gjermane, një dron i pajisur me eksploziv ishte zbuluar më 4 gusht pranë avionëve ukrainas të transportit. Pajisja shpërthyese nuk kishte funksionuar. Gjithashtu, dyshohet se një tjetër dron mund të jetë përplasur me një avion transporti mallrash që ndodhej aty pranë.

Si pjesë e reagimit ndaj situatës, Gjermania ka njoftuar se më 18 shtator do të mbyllë “Shtëpinë e Rusisë” në Berlin dhe Konsullatën Ruse në Bon.
Vendimi është mirëpritur nga institucionet evropiane, partnerët e Berlinit dhe NATO.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se sulmet hibride nuk mund të mbeten pa një përgjigje të qartë.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se sulmet e tilla po shtohen në Evropë dhe nuk mund të mbeten pa reagim.

Moska paralajmëron kundërpërgjigje

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat gjermane.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Berlini po përdor një “justifikim të pabazuar” për të përshkallëzuar marrëdhëniet dypalëshe.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të japë një përgjigje ndaj masave të Gjermanisë.

NATO dhe BE kërkojnë një qëndrim të përbashkët

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përpjekjet e Rusisë për të frikësuar vendet evropiane dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën do të dështojnë.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili deklaroi solidaritetin e Greqisë me Gjermaninë.

Mbështetje për Berlinin kanë shprehur edhe Britania e Madhe, Italia, Suedia, Finlanda, Irlanda dhe Ukraina.

Përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, konfirmoi se po përgatitet një takim i ministrave të Jashtëm, me fokus te forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s kundër kërcënimeve hibride.

Sytë nga Uashingtoni

Ndërsa vendet evropiane dhe NATO po shprehin mbështetje për Gjermaninë dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët ndaj Rusisë, Uashingtoni deri tani nuk ka dhënë një reagim të qartë publik.

Pyetja kryesore është nëse administrata amerikane do të mbështesë publikisht Gjermaninë dhe aleatët evropianë, apo do të përpiqet të ulë tensionet me Moskën.

Një përgjigje për këtë çështje mund të vijë pas takimit mes von der Leyen dhe Rutte dhe diskutimeve të ministrave të Jashtëm.

Edi Rama për sulmin me dron në Gjermani: Akt agresioni rus, Shqipëria qëndron përkrah Berlinit

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar pas akuzave të Gjermanisë ndaj Rusisë për tentativën e sulmit me dron të pajisur me eksploziv në aeroportin Leipzig.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai shprehu solidaritet të plotë me kancelarin Friedrich Merz dhe Gjermaninë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt agresioni.

Më tej, kryeministri thekson se Shqipëria qëndron përkrah Gjermanisë, Ukrainës e aleatëve të NATO-s.

“Një dron që transporton lëndë shpërthyese drejt Aeroportit Leipzig/Halle nuk lë vend për paqartësi. Është një akt agresioni rus kundër Gjermanisë dhe kundër sigurisë së Europës, siç po e bën tashmë të qartë edhe vetë Qeveria gjermane. Solidaritet i plotë me mikun tim @_FriedrichMerz, me Qeverinë gjermane dhe me popullin gjerman. Kancelari ka të drejtë që përgjigjet me qartësi dhe vendosmëri. Përballë luftës hibride nuk ka vend për hezitim. Shqipëria qëndron e palëkundër përkrah Gjermanisë, Ukrainës dhe të gjithë aleatëve tanë të NATO-s. Jemi më të fortë kur veprojmë të bashkuar”, shkroi Rama.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.