
Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pasi Qeveria gjermane bëri të ditur se Rusia qëndron prapa tentativës për sulm me dron të ngarkuar me eksploziv në Aeroportin Leipzig/Halle.
Përmes një postimi në platformën X, Hoxhaj e ka cilësuar rastin si agresion rus kundër Gjermanisë dhe sigurisë së Evropës.
“Droni i ngarkuar me eksploziv në Aeroportin Leipzig/Halle është një akt i qartë i agresionit rus kundër Gjermanisë dhe sigurisë evropiane. Kosova qëndron fuqishëm përkrah kancelarit Merz, Gjermanisë dhe aleatëve tanë të NATO-s. Lufta hibride kërkon unitet dhe vendosmëri”, ka shkruar Hoxhaj.
Incidenti kishte ndodhur më 4 gusht, ndërsa më 1 shtator autoritetet gjermane njoftuan se të dhënat e institucioneve të sigurisë tregojnë qartë për përfshirjen e Rusisë. Droni ishte gjetur pranë një aeroplani ukrainas dhe ishte çaktivizuar pa shkaktuar viktima apo dëme.