
Analisti politik Adrian Çollaku ka deklaruar se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po diskutohet për një iniciativë të re për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
I ftuar në emisionin “Politiko”, ai tha se, sipas informacioneve që ka, shumë shpejt mund të thirret një tjetër Kuvend i Jashtëzakonshëm i LDK-së, me qëllim shqyrtimin e shkarkimit të Abdixhikut.
Sipas tij, kjo nismë lidhet me zhvillimet e fundit brenda partisë dhe përplasjet që janë shfaqur në LDK.
“Ka edhe një opsion, ai është që shumë shpejt me u thirrë një Kuvend tjetër i Jashtëzakonshëm edhe me shkarku z. Abdixhiku. Po flitet në strukturat e LDK-së. Iniciativa është shumë serioze, këtë e kam informacion”, deklaroi Çollaku.
Ai shtoi se zhvillimet e fundit kanë rritur pakënaqësitë ndaj Abdixhikut, duke pretenduar se një pjesë e strukturave të LDK-së e shohin atë si të afërt me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.