
Me pesë vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë është dënuar Jeton Mehmeti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, pasi është shpallur fajtor për veprën penale “Mashtrimi”.
Sipas aktgjykimit, Mehmeti do të vuajë dënimin me burgim pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa gjobën prej 1 mijë e 500 eurosh duhet ta paguajë brenda 90 ditësh nga plotfuqishmëria e tij.
Rasti lidhet me mashtrimin e 24 personave, ndërsa Mehmeti ishte arrestuar më 19 mars 2024, nën dyshimin se gjatë periudhës nga viti 2021 deri në korrik të vitit 2023 kishte përfituar rreth dy milionë euro.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Mehmeti dyshohet se, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit dhe i kishte nxitur të kryenin veprime që u shkaktuan dëm material.
Në aktakuzë thuhet se, në kohën kur ishte distributor i shitjes me pakicë për kompaninë “Tobakos” SH.P.K., me seli në Prishtinë, Mehmeti u kishte kërkuar të dëmtuarve para për blerjen e duhanit “Trocadero”, duke u premtuar se në të ardhmen do të përfitonin bonuse.
Në njoftimin për arrestimin e tij, Prokuroria kishte bërë të ditur se Mehmeti dyshohej se kishte mashtruar qytetarë të ndryshëm me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.