
Një 57-vjeçar është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për kanosje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas disa publikimeve në rrjetin social Facebook.
Sipas Policisë, rasti është evidentuar më 2 shtator, rreth orës 15:45, kur Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ka pranuar informacione për postime me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit.
Ndërkohë, është raportuar se i dyshuari është Gazmend Halimi. Ai dyshohet se kishte publikuar dy video ku shfaqej Kurti, të shoqëruara me mesazhe kërcënuese.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka kontaktuar të dyshuarin përmes telefonit, ku Halimi dyshohet se ka kanosur edhe pjesëtarët e policisë që po merreshin me rastin.
Pas koordinimit me Prokurorinë Speciale, hetuesit e Krimeve të Rënda, me asistimin e Njësisë Speciale, kanë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin në Prishtinë.
Halimi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Speciale, është dërguar në ndalim prej 48 orësh.
Rasti po hetohet nën dyshimet për veprën penale “Kanosje dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar./kp