
Kryeministri Edi Rama ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, pasi ajo ka vendosur një rekord historik në drejtimin e qeverisë së Italisë.
Në mesazhin e tij, Rama e përgëzoi Melonin për mandatin më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane, duke e shoqëruar urimin edhe me batuta mbi politikën italiane, gratë në pushtet dhe marrëdhëniet e Italisë me Europën.
Përgjigjja e Melonit nuk vonoi. Kryeministrja italiane e falënderoi Ramën, duke vlerësuar mënyrën se si ai, sipas saj, arrin të kombinojë ironinë me “disa të vërteta jo fort të rehatshme”.
“Edi, miku im, faleminderit nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta jo fort të rehatshme!”, shkruan Meloni.
Ajo vijon me një tjetër batutë, duke iu referuar ndryshimeve të shpeshta të qeverive dhe bashkëbiseduesve politikë në Itali.
“Më vjen mirë të di që, pas kaq shumë ndryshimeve të bashkëbiseduesve në Romë, më në fund ke pasur mundësinë të krijosh pak më shumë afeksion për atë aktualin. Ndërrimi i shpeshtë i stolit nuk ndihmon kurrë për të ndërtuar diçka solide. Por në fund, kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të marrësh rezultate”, shprehet ajo.