
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi për dhunimin e 26-vjeçarit Eduard Kuçi, ngjarje për të cilën policia ka arrestuar këngëtarin Jozefin Marku dhe një tjetër person. Gjithashtu është bërë e ditur se janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Bëhet e ditur se Jozi është gjetur i fshehur në tualetin e banesës së shtetasit Kristjan Nikolli, 31 vjeç, i cili gjithashtu është arrestuar nga policia.
Në kërkim janë shpallur Anton Huli, 48 vjeç, dhe Kevin Vuthaj, 27 vjeç, të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.
Ngjarja u bë publike pas publikimit të videove të konfliktit në rrjetet sociale, ku shfaqet momenti i përplasjes fizike mes Markut dhe Eduart Kuçit.
Sipas hetimeve, konflikti dyshohet se ka nisur pas disa deklaratave të bëra nga Kuçi në rrjetet sociale, ku ai kishte ofenduar Markun dhe e kishte kërcënuar me hakmarrje. Pak kohë më vonë, dy personazhet janë përballur në rrugë, te mbikalimi i Rinasit, ku debati ka përshkallëzuar në dhunë fizike, shkruan gazeta shqip.
Në pamjet e bëra virale dëgjohet Jozefin Marku duke i kërkuar Kuçit llogari për deklaratat e tij, ndërsa në një moment i drejtohet me fjalët: “Ulu në gjunjë dhe kërko falje! Mos e zgjat”.
Sipas polivisë, Joz Marku akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Ndërsa Kristian Nikolli, 31 vjeçari i dyshuar se ka qenë drejtuesi i automjetit tip “Land Rover” i përdorur ditën e ngjarjes, dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.