
Një incident serioz ka ndodhur në hapësirat e qendrës tregtare Prishtina Mall, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht kapitenin e Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje rreth parkingut, e cila më pas ka eskaluar në përplasje.
Sipas informacioneve, në incident janë përfshirë dy persona, të cilët dyshohet se kanë sulmuar kapitenin Ahmeti.
Pas eskalimit të situatës, në vendin e ngjarjes janë angazhuar zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Graçanicë, ndërsa më pas është përfshirë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh).
Të gjitha palët e përfshira në incident janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku kanë nisur procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave dhe marrjen e deklaratave.
Burimet bëjnë të ditur se, për shkak se njëra nga palët e përfshira është zyrtar policor me gradën kapiten, për rastin është njoftuar dhe është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Motivi fillestar dyshohet të ketë qenë një ngatërresë lidhur me parkingun, por rrethanat e sakta të përplasjes dhe roli i secilit prej personave të përfshirë pritet të sqarohen gjatë procedurës hetimore.