
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend, raporton Gazeta10.
LDK përmes një komunikate për media ka thënë se moskoordinimi me aleatët i nxitë agjendat destabilizuese.
Më tej, thuhet se politikat populliste po i sjellin Kosovës dëme afatgjate.
LDK ka ftuar qytetarët për qetësi ndërsa institucionet për koordinim me SHBA-në dhe aleatët e tjerë.
Këtu keni komunikatën e plotë:
Komunikatë për Medie
Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bjen në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë. Politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate dhe regres në arenën ndërkombëtare.
LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi; ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.
Moskoordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë nga institucionet e Republikës së Kosovës, i nxitë dhe shërben agjendat destabilizuese e provokuese në territorin e Kosovës. Pasojat e një destabilizimi të tillë janë të pariparueshme për vendin.
LDK – Zyra për Informim
Kujtojmë se pasditen e sotme Lista Serbe është tërhequr nga institucionet e Kosovës për shkak të suspendimit të komandantit të policisë rajonale në veri nga Qeveria e Kosovës. / Gazeta10