
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë ka kërkuar që Kosova ta shtyejë afatin për konvertimin e targave serbe si dhe ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, raporton Gazeta10.
Përmes një deklarate, ai ka thënë se tërheqja e serbëve nga institucionet nuk është zgjidhje dhe se mund të shërbejë për përshkallëzimin e tensioneve në terren.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, ka thënë Borell.
Tutje, ai akt hënë se Kosova duhet t’i respektojë detyrimet pa vonesë dhe këtu ka cekur zgjatjen e afatit për targat.
Ai i ka bërë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës që tashmë i kanë lëshuar.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, theksoi ai.
Borell po ashtu ka përmendur Asociacionin duke e quajtur si një obligim ligjor për Kosovën meqë rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit si dhe është ratifikuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, ka thënë shefi i diplomacisë evropiane.
Kujtojmë se pasditen e sotme Lista Serbe është tërhequr nga institucionet e Kosovës pasi është suspenduar komandanti i policisë rajonale në veri nga Qeveria e Kosovës. / Gazeta10