
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm në territorin e Republikës së Kosovës shtetasin serb, Vladimir Lučić.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Lučić-it i është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të vendimit.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Lučić, përmes deklaratave publike, ka shprehur qëndrime të cilat, sipas MPB-së, cenojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sipas ministrisë, ai ka promovuar dhe mbështetur publikisht veprime dhe politika që sfidojnë institucionet e Kosovës.
Në vendim përmendet në mënyrë të veçantë sektori i telekomunikacionit dhe infrastruktura telekomunikuese.
Vendimi është nxjerrë në bazë të Ligjit për të Huajt dhe ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit.
Lučić, në një intervistë të mëhershme, kishte deklaruar se gjatë vitit të ardhshëm do të modernizohej telefonia fikse dhe do të ndërtoheshin objekte të reja të MTS-së në Kosovë, duke iu referuar territorit të Kosovës me terminologjinë “Kosovë e Metohi”./Gazeta10