
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, duke reaguar lidhur me zhvillimet në Kuvend, ka thënë se, sot është par ana e ‘’errët e atyre që janë zgjedh’’.
Ai ka shtuar se veprimet e deputetëve të Vetëvendosjes, s’janë të rastësishme, porse ky është “proces i fajësimit edhe i zgjedhjes së datës të zgjedhjeve”.
“Ajo që po e shohim në Kuvendin e Kosovës në këto ditë, e posaçërisht ajo që e pamë sot në Kuvend, tashmë ka kalu prej nivelit të shkeljeve brutale të Kushtetutës të ligjit dhe rregullores së Kuvendit. Sot e kemi pa edhe anën e errët njerëzore të atyre që janë zgjedh. Mu më duhet me ju thirr sot dhe me ju tregu se, asgjë që po shihni nuk është e rastësishme, krejt është proces i fajësimit edhe i zgjedhjes së datës të zgjedhjeve”, ka deklaruar Gjini.
Tutje, ai ka shtuar se Vetëvendosja ka uzurpuar institucionet e vendit, dhe se kjo parti po e nëpërkëmb shtetin, institucionet dhe të ardhmen e qytetarëve.
“Njerëzit të cilët, ju i keni votuar i kanë uzurpuar institucionet e Kosovës, po e nëpërkëmbin shtetit, këto institucione, të ardhmen tuaj. Mos i votoni më, mos leni që kjo kastë e njerëzve, këta njerëz që nuk e duan Kosovën, as juve që i votni, mos leni me e shkatërru Kosovën. Kemi me shku në zgjedhje, se vetë kanë vendos me shku në zgjedhje. Është detyrë e juaja, e jona dhe e secilit njeri që jeton në Kosovë me e mbrojt shtetin, demokracinë prej shkatërrimit që po e shkaktojnë këta njerëz. Ndaleni këta njerëz, ndaleni, se vetë nuk e kanë plan me u ndalë”, ka thënë ai në video adresim.
“Kjo maskaradë që ndodhi sot në Kuvend është lojë e pastër për të blerë kohë, që zgjedhjet t’i caktojnë me 27 dhjetor. Kjo edhe nëse çmimi është shkatërrimi i institucioneve të shtetit.
Ky është mesazhi im dhe i Aleancës për të gjithë qytetarët e Kosovës!”, ka shkruar ai.