
Në Prishtinë pritet të nis marshi në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një kohë kur procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara po i afrohet një etape vendimtare.
Në edicionin special të Kanal 10 kushtuar marshit, gazetari Kushtrim Sadiku e cilësoi këtë ditë si një “moment kulmor”, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit qytetar dhe mbarëkombëtar.
“Ky është momenti kulmor, para vendimit të madh të Dhomave të Specializuara, që e kulmon gjashtëvjeçarin e procesit gjyqësor. Ky proces është shoqëruar me shumë probleme, komente dhe tronditje”, tha Sadiku.
Ai theksoi se marshi i sotëm, përtej zhvillimeve politike të ditës, duhet të shihet si një moment bashkimi dhe solidariteti.
“Sot është momenti kulmor ku do të shihet solidariteti i të gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Sot është mesazh se politika ditore duhet të qëndrojë anash dhe se të gjithë duhet të jenë bashkë, siç u ka hije shqiptarëve në përgjithësi”, u shpreh ai.
Sipas Sadikut, pjesëmarrja në marsh është edhe një shprehje e zërit qytetar dhe e mbështetjes ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa theksoi se rëndësia e kësaj dite qëndron pikërisht te mesazhi i unitetit.
“Pra, momenti kulmor flet zëri i qytetarëve”, përfundoi Sadiku.