
Izet Mexhiti, lider i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Mexhiti ka thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e popullit të Kosovës.
Ai ka shprehur pritjen që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përfundojë me një vendim të drejtë që, sipas tij, do të konfirmojë pafajësinë e tyre.
“Procesi i padrejtë dhe kundërthënës ndaj komandantëve të UÇK-së në Hagë, duhet të përfundojë nesër dhe ne presim që të merret një vendim i drejtë që do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin dhe se sakrifica për çlirimin e Kosovës, sipas tij, nuk duhet të kthehet në agjendë politike.
“Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, guxim dhe gjak. Emrin e lirisë sot e bartin me guxim e dinjitet liderët tanë që padrejtësisht ndodhen në Hagë”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Mexhiti ka thënë se “momenti i së vërtetës po afron”, duke theksuar se për të liria e Kosovës është amanet.
“Për lirinë, drejtësinë, dinjitetin. Për Kosovën”, ka përfunduar ai./Gazeta10