
Avokati Alban Krasniqi ka komentuar sonte në emisionin “Politiko” vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe afatet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja.
Krasniqi tha se vendimi ka sqaruar disa çështje të rëndësishme, por, sipas tij, ka lënë edhe paqartësi të tjera, veçanërisht sa i përket mënyrës se si Gjykata e ka trajtuar vonesën në konstituimin e Kuvendit.
“Ka disa kontradikta brenda. Zgjidh disa paqartësi, por i krijon disa të tjera, sepse tensioni ka qenë shumë i lartë ndërmjet çështjeve që është dashur të adresohen në këtë çështje”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se, për shkak se arsyetimi i plotë i vendimit ende nuk është bërë publik, duhet pritur për të kuptuar në detaje argumentimin e Gjykatës.
“Ky vendim krijon, të paktën, këtë sqarim për media, pasi aktgjykimi i plotë nuk ka dalë dhe neve na duhet të presim edhe më tej se si e ka arsyetuar Gjykata. Por ajo që dihet është se sot Kuvendi quhet i konstituuar, edhe pse nuk është e qartë se si e ka adresuar Gjykata vonesën”, u shpreh ai.
Sipas Krasniqit, vendimi ka përcaktuar edhe dy çështje të tjera të rëndësishme: përfundimin e çështjes së legjitimitetit të zgjedhjes së Qeverisë dhe nisjen e afateve të rrepta për zgjedhjen e Presidentit.
“E dyta, e ka mbyllur çështjen e legjitimitetit të zgjedhjes së Qeverisë, edhe ajo është kryer. Dhe e treta, është se ka afate strikte për zgjedhjen e Presidentit”, tha Krasniqi.
Ai vlerësoi se një nga ndryshimet më të dukshme në këtë vendim lidhet me mënyrën se si Gjykata e ka trajtuar konceptin e konstituimit të Kuvendit, në raport me praktikën e saj të mëhershme.
“Një devijim i madh që vërehet prej praktikave të kaluara të Gjykatës Kushtetuese dhe që shkakton pjesërisht këtë tension ka të bëjë me devijimin në raport me atë se çka quhet konstituim i Kuvendit. Deri më tani, Gjykata gjithmonë ka thënë qartë se Kuvendi konstituohet vetëm kur zgjidhet kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. Në këtë vendim vërejmë një devijim prej kësaj”, deklaroi ai.