Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

27 vjet më pas, Kosova pret Irlandën – në vitin 1999, Irlanda refuzoi të luante me Jugosllavinë për shkak të luftës në Kosovë

Gazeta10
24 September 2026 - 18:26

Më shumë se 27 vjet pas një prej episodeve më të veçanta në historinë e futbollit.

Irlanda zbarkon në Prishtinë për përballjen me Kosovën në UEFA Nations League.

Dy vendet përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje që nis në orën 20:45. Takimi është pjesë e Grupit B3 të Nations League dhe shënon përballjen e parë zyrtare mes Kosovës dhe Republikës së Irlandës.

Por për irlandezët, Kosova nuk është një emër krejt i panjohur në historinë e tyre. Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, qeveria e atëhershme e Irlandës ndërhyri për të mos lejuar zhvillimin e një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2000 kundër Jugosllavisë.

Ndeshja ishte planifikuar të luhej më 5 qershor 1999 në Dublin. UEFA, megjithatë, refuzoi kërkesën e qeverisë irlandeze për shtyrjen ose anulimin e saj, duke argumentuar se nuk kishte bazë ligjore për ta bërë këtë.

Përballë këtij qëndrimi, qeveria e kryeministrit Bertie Ahern vendosi të mos i lëshojë vizat ekipit jugosllav. Ahern kishte paralajmëruar se, nëse UEFA nuk do të merrte një vendim, atëherë qeveria irlandeze do të vepronte vetë. Vendimi u lidh drejtpërdrejt me situatën e krijuar në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

Vendimi e vendosi Irlandën në përplasje me UEFA-n dhe solli edhe rrezikun e përjashtimit nga garat evropiane. Në fund, Federata Irlandeze e Futbollit u gjobit me 25 mijë funte dhe u detyrua të kompensojë shpenzimet e ekipit jugosllav.

Ndeshja u zhvillua rreth tre muaj më vonë, më 1 shtator 1999, në Lansdowne Road të Dublinit. Irlanda fitoi 2–1, me Robbie Keane që shënoi golin e parë, ndërsa Mark Kennedy realizoi golin e fitores.

Sonte, historia merr një tjetër kapitull. Këtë herë nuk bëhet fjalë për Jugosllavinë, por për Kosovën e pavarur, dhe sfida zhvillohet në Prishtinë.

Kosova dhe Irlanda do të përballen në “Fadil Vokrri” në orën 20:45.

PJESË NGA ARTIKULLI I VITIT 1999:

“Deklarata e qeverisë irlandeze mbrëmë theksoi “veprimet e paligjshme dhe të tmerrshme të regjimit jugosllav kundër popullit të Kosovës”. Ajo iu referua aktakuzës kundër presidentit Millosheviq si kriminel lufte dhe pasoi deklaratat e ashpra të Mary Robinson, ish-presidente e Irlandës dhe në atë kohë drejtuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, lidhur me luftën.

Deklarata thoshte: “Qeveria vëren me keqardhje se UEFA ka këmbëngulur në refuzimin e saj për të ndryshuar vendimin. Duke pasur parasysh këtë dështim të UEFA-s për të përmbushur përgjegjësitë e saj, situatën e papranueshme në Kosovë dhe aktakuzën e Tribunalit Ndërkombëtar kundër autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, qeveria është e bindur se nuk do të ishte e përshtatshme që kjo ndeshje të zhvillohej në Irlandë.”

Alan Hunter, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Irlandeze të Mbështetësve të Futbollit, tha se ishte i kënaqur me vendimin e qeverisë irlandeze. Ai tha: “Nëse Irlanda do ta zhvillonte këtë ndeshje, do ta njollosnim përgjithmonë respektin global që gëzojnë tifozët tanë. Duhet të tërhiqemi nga kjo ndeshje.”

Artikulli i The Guardian i datës 3 qershor të vitit 1999-të: https://www.theguardian.com/football/1999/jun/03/newsstory.sport6

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.