
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur te qytetarët e Kosovës ndjenjën e krenarisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e saj në çlirimin e vendit.
Limaj, i cili mori pjesë në protestën e sontme “Jo në emrin tim”, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, tha se zhvillimet pas aktgjykimit kanë dëshmuar, sipas tij, se UÇK-ja përfaqëson identitetin kombëtar dhe lirinë e Kosovës.
“Besoj që kjo situatë e rëndë pas vendimit të Gjykatës në Hagë ka nxjerrë në pah atë që ne e kemi ditur gjithmonë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është identitet i këtij kombi, i lirisë”, tha Limaj.
Ai theksoi se qytetarët, veçanërisht brezat e rinj, po shprehin krenarinë për kontributin e prindërve të tyre në luftën për çlirimin e Kosovës.
Sipas tij, aktgjykimi nuk duhet të shihet vetëm në raport me individët e dënuar, pasi ai pretendon se vendimi synon edhe ndryshimin e interpretimit të historisë së Kosovës.
“Ndihem mirë që njerëzit e kanë kuptuar që ky aktgjykim nuk ka të bëjë me individin, se ky aktgjykim ka një objektiv për të shlyer një histori e për të rishkruar një histori. Shteti dhe populli i Kosovës nuk lejon që t’i rishkruhet historia”, deklaroi Limaj.
Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet për të dhjetën natë me radhë në Prishtinë, pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.