Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me një paragraf që, sipas saj, ngre pikëpyetje për mënyrën se si po trajtohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëllimi i saj për pavarësinë e Kosovës.
Çitaku u ka bërë thirrje qytetarëve që ta lexojnë me vëmendje këtë pjesë dhe të mendojnë për pasojat që, sipas saj, mund të ketë ky arsyetim në mënyrën se si do të interpretohet lufta e UÇK-së në të ardhmen.
Ajo ka theksuar se çështja, sipas saj, shkon përtej katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Mos lejoni që mosdurimi ndaj katër emrave t’ju verbojë”, ka shkruar Çitaku, duke argumentuar se pyetja kryesore është nëse lufta kundër atyre që kundërshtonin pavarësinë po trajtohet si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale.
“Pyetja është se si po cilësohet vetë lufta për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kërkuar që paragrafi të lexohet “ftohtë”, pa simpati dhe pa antipati politike, duke thënë se pasojat e këtij interpretimi shkojnë përtej katër emrave./Gazeta10