
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se s’kanë informata zyrtare se çka është diskutuar në takimin e mbrëmshëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Ai, duke hyrë në objektin e Kuvendit, tha se këto do t’i mësojnë në mbledhjen e grupit parlamentar që do ta zhvillojnë para nisjes së seancës së sotme plenare.
“Ende s’e kemi kuptuar për krejt takimin dhe s’kemi informata zyrtare. Sot e kemi mbledhjen e grupit parlamentar dhe e marrim vesh më saktësisht se çka është diskutuar. Mendoj se theksi kryesor ka qenë që të kemi një dakordim për një qëndrim të përbashkët të Kuvendit për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së. Besoj se është marrëzi që mos me pas një unitet rreth kësaj. Pastaj, sigurisht, është propozimi i PDK-së për Dhomat e Specializuara. Ne i ftojmë të gjithë, pa dallim partie, që të kemi një mbështetje, pasi është prekur historia, e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë. Është e rëndësishme që të ketë një pajtueshmëri të plotë të partive politike, pasi mbi të gjitha është vlerë e përbashkët UÇK-ja”, tha ai.
I pyetur se a është diskutuar për çështjen e presidentit, ai tha se kjo çështje nuk duhet të ndërlidhet me nevojën që Kuvendi ta miratojë Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.