Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mashtruan 64-vjeçarin për 100 mijë euro, kapen në flagrancë dy të rinj në Tiranë

Gazeta10
28 September 2026 - 12:08

Një tjetër rast mashtrimi përmes platformave të komunikimit online është goditur nga Policia e Tiranës. Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë teksa po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga një 64-vjeçar, të cilin dyshohet se e kishin mashtruar përmes një profili të rremë në rrjetet sociale.

Operacioni, i koduar “Seen”, u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, pas kallëzimit të bërë nga 64-vjeçari.

Në pranga u vunë shtetasit E. K., 24 vjeç, dhe O. B., 23 vjeç.

Sipas Policisë, nga hetimet e kryera me metoda speciale dyshohet se dy të rinjtë kanë komunikuar me 64-vjeçarin përmes një profili të rremë në një rrjet social. Profili dyshohet se ishte krijuar duke përdorur të dhënat dhe kredencialet e një personi të njohur të viktimës, me qëllim fitimin e besimit të tij dhe marrjen e shumës së parave.

Policia ndërhyri në momentin kur dy të rinjtë po merrnin 100 mijë eurot, duke bërë të mundur arrestimin e tyre në flagrancë.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në skemën e dyshuar të mashtrimit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.