
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare të mërkurën, të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Sërgjan Vuçiniq dhe Nemanja Joloviq u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për vendosjen e barrikadave më 2022 në Komunën e Zveçanit. Kurse për Nenad Orloviqin u veçua procedura penale.
Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën e 31 gushtit 2026, është veçuar procedura për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, pasi kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë. Më pas, Gjykata aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie, ku Radosavljeviq u dënua me 9 muaj burgim, kurse Dobrac me 1 vit burgim.
Në seancën e sotme, deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Admir Shala.
Pas deklarimit të të akuzuarve Maksimoviq (i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për sulmi në Banjskë), Vuçiniq dhe Joloviq, kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri njoftoi ata dhe mbrojtësit e tyre se brenda 30 ditëve mund të paraqesin kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Më pas, gjyqtari Beqiri e konsideroi të mbyllur seancën fillestare dhe deklaroi se të gjitha palët do të njoftohen me kohë për caktimin e seancës së ardhshme, për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor.
Paraprakisht, në fillim të seancës, me propozim të prokurorit Shala dhe me pajtim të të gjithë palëve në procedurë, u veçua procedura ndaj të akuzuzarit Nenand Orloviq për arsye të ekonomizimit të procedurës, sepse Gjykata vlerëson se janë bërë përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e tij, por i njëjti nuk është në Kosovë.
Të pranishëm në seancë ishin prokurori special Admir Shala, i akuzuari Dushan Maksimoviq me mbrojtësin e tij- avokatin Millosh Nikoliq, i akuzuari Sërgjan Vuçiniq me mbrojtësin e tij- avokatin Bogdan Llaziq dhe i akuzuari Nemanja Joloviq me mbrojtësin e tij- avokatin Rastomir Petroviq. Ndërkaq, mungoi i akuzuari Nenand Orloviq dhe mbrojtësja e tij sipas detyrë zyrtare, avokatja Donjeta Leka- për të cilin u veçua procedura gjyqësore.
Seanca e caktuar më 17 shtator dështoi në mungesë të të akuzuarit Nenad Orloviq dhe mbrojtësve të të akuzuarve Maksimoviq dhe Vuçiniq, avokatëve Millosh Nikoliq dhe Bodgan Llaziq. Avokatët Nikoliq dhe Llaziq u gjobitën me nga 500 euro.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 10 qershor 2026 ka ngritur ndaj Dushan Maksimoviq (i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për sulmi në Banjskë), Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë, andaj janë pezulluar hetimet ndaj tij për këtë rast.
“Grupi kriminal me në krye Milan Radojçiq kanë planifikuar strategjinë e bllokimit, koordinimit, logjistikën, monitorimin e Policës së Kosovës dhe vendosjen e qytetarëve dhe personelin në pika strategjike duke krijuar barrikada në rrugë dhe duke hapur gropa (istikame) apo pozicione ushtarake në shumë pjesë strategjike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e hartuar nga prokurori special, Admir Shala.
PSRK njoftoi se ndaj 11 të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes. Rrjedhimisht, në këtë listë përfshihet edhe Milan Radoiçiq.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, në pikën e parë thuhet se nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në Komunën e Zveçanit duke vepruar në bashkëkryerje, të akuzuarit Maksimoviq, Radosavljeviq dhe Joloviq, kanë marrë pjesë si antarë të grupit apo bashkimi për të kryer sulm kundër rendit kushtetues përmes përdorimit të forcës dhe dhunës.
Sipas aktakuzës, qëllimi ishte pengimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit dhe kryerjen e detyrave zyrtare në komunat veriore. Ata thuhet se kishin vendosur barrikada në rrugën kryesore- konkretisht kamion të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca dhe automjete të tjera, kurse në afërsi të barrikadave edhe istikame. Po ashtu, thuhet se në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, kanë qenë të gatshëm që t’i sulmojnë me mjetet në dispozicion.
Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” nga neni 127, paragrafi 2 lidhur me nenin 114, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Më tej, në pikën dy të aktakuzës ngarkohet i akuzuari Dushan Dobrac se nga data 10 e deri më 29 dhjetor 2022 në Komunë e Zveçanit, ka marrë pjesë si anëtar i grupit për të kryer sulm kundër rendit kushtetues përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, me qëllim pengimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në komunat veriore.