Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

Faza e Apelit për Thaçin dhe të tjerët, Picard caktohet kryetare e trupit gjykues

Gazeta10
30 September 2026 - 14:40

Gjyqtarja franceze, Michele Picard do të kryesojë Panelin e Gjykatës së Apelit në procedurën e apelit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kjo bëhet e qartë nga vendimi i publikuar më 29 shtator 2026 lidhur me modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave në procedurën e apelit.

Në dokumentin zyrtar, Paneli i Apelit përbëhet nga Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, ndërsa në fund të vendimit Picard identifikohet shprehimisht si gjyqtare kryesuese.

Zhvillimi vjen në kohën kur procedura ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën e apelit pas Aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026.

Më 29 shtator, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër Aktgjykimit.

E njëjta zgjatje iu dha edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa 27 nëntori 2026 është caktuar si afati deri kur ekipet e Mbrojtjes dhe ZPS-ja duhet t’i dorëzojnë njoftimet e tyre për apel.

Dokumenti për pjesëmarrjen e viktimave konfirmon se më 22 shtator Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin paraqitur bashkërisht kërkesë për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel ndaj Aktgjykimit të shkallës së parë.

Paneli ka miratuar gjithashtu modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave gjatë procesit të apelit, duke vendosur që të zbatohet një regjim i ngjashëm me atë të përdorur gjatë gjykimit në shkallën e parë, me përshtatjet e nevojshme për fazën e apelit.

Sipas vendimit, pjesëmarrja e viktimave duhet të kufizohet në çështjet që prekin interesat e tyre personale dhe nuk mund të jetë në kundërshtim apo të cenojë të drejtat e të akuzuarve.

Viktimat do të vazhdojnë të përfaqësohen përmes Mbrojtësit të Viktimave dhe nuk mund të përfaqësojnë vetveten në procedurë. Paneli ka theksuar se do të ruajë kontrollin mbi mënyrën e pjesëmarrjes së tyre gjatë gjithë procesit të apelit.

Mbrojtësi i Viktimave do të vazhdojë të ketë qasje në dosjen e çështjes, përfshirë parashtresat, transkriptet dhe materialet provuese publike, konfidenciale dhe rreptësisht konfidenciale, me përjashtim të materialeve “ex parte” ndaj Mbrojtësit të Viktimave. Ai gjithashtu do të mund të marrë pjesë në seancat e apelit, përveç atyre ku përjashtohet shprehimisht.

Në Aktgjykimin e 16 shtatorit, trupi gjykues kishte evidentuar se 156 viktima kishin marrë pjesë në procedurën gjyqësore.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Gjykimi Special
26 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.