
Donald Trump deklaroi se administrata e tij e vlerëson çdo ditë mundësinë e ndalimit të eksporteve të naftës. Shtëpia e Bardhë po kërkon mënyra për të frenuar rritjen e kostove të karburantit para zgjedhjeve të mesit të mandatit, që mbahen në nëntor.
Presidenti amerikan pranoi se kufizimi i eksporteve mund të sjellë shtrenjtim të benzinës, por argumentoi se një masë e tillë mund të ulë çmimin e naftës.
Gjatë një bisede me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump tha se ndalimi i eksporteve është ende një mundësi që po shqyrtohet nga qeveria. Ai paralajmëroi se masa mund të ketë “ndikim negativ” te çmimi i benzinës, ndërsa administrata synon të frenojë rritjen e çmimeve të naftës, të cilat kanë arritur nivele historike në Shtetet e Bashkuara.
Trump ia atribuoi një pjesë të shtrenjtimit pasojave të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas tij, goditjet ndaj infrastrukturës energjetike kanë ndikuar në uljen e prodhimit dhe të eksporteve të karburantit.
Ai tha se, pavarësisht vështirësive, Shtetet e Bashkuara ndodhen në pozitë më të favorshme se vendet e tjera, duke shtuar: “Mendojmë se po veprojmë shumë mirë”.
Në fjalën e tij, presidenti nuk iu referua luftës me Iranin apo ndërprerjeve të lidhura me Ngushticën e Hormuzit, ndonëse zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në tregun botëror të naftës.
Sekretari i Energjisë, Chris Wright, dha një pasqyrë më të gjerë të situatës dhe tha se furnizimi me karburant po ndikohet nga disa burime. “Kemi humbur disa eksporte nafte nga Lindja e Mesme, megjithëse po i rikthejmë ato, dhe kemi humbur disa eksporte nafte nga Kina”, u shpreh ai.
Wright tha se zinxhiri i furnizimit përballet me disa presione njëkohësisht. Sipas tij, qeveria amerikane pret që së shpejti Evropa të bëjë njoftime që mund të sjellin shtim të eksporteve të naftës.
Me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit, çmimet në rritje të karburantit janë kthyer në një çështje të rëndësishme politike për Shtëpinë e Bardhë.
Përveç mundësisë së ndalimit të eksporteve, administrata po shqyrton edhe kufizime vullnetare për eksportet e rafinerive dhe përdorim më të gjerë të naftës “të kuqe” pa taksa, me synimin për të zbutur trysninë mbi çmimet.