Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

MD: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kërkojnë shqyrtim të veçantë në Kuvend

Gazeta10
03 October 2026 - 15:10

Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi të mëtejshëm të specializuar në Kuvendin e Kosovës.

Sipas opinionit të Departamentit Ligjor të Ministrisë, nisma përmban çështje komplekse juridike që lidhen me Kushtetutën, funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Në mesin e ndryshimeve të propozuara janë përfshirë ndërhyrje në juridiksionin lëndor, kohor dhe territorial të Dhomave të Specializuara, mundësia e transferimit të rasteve në gjykatat dhe prokuroritë vendore, ndryshimi i dënimit maksimal, falja e personave të dënuar dhe ndryshimi i kompetencave të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Ministria sqaron se këto propozime, në vete, nuk paraqesin konflikt të drejtpërdrejtë me pjesën tjetër të legjislacionit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Megjithatë, ajo konsideron se çështja e përputhshmërisë së tyre me Kushtetutën kërkon trajtim të veçantë.

Vëmendje e veçantë, sipas opinionit, duhet t’i kushtohet Amendamentit nr. 24 të Kushtetutës, përkatësisht nenit 162, i cili paraqet bazën kushtetuese për funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Në këtë kuadër, Ministria ka theksuar edhe rëndësinë e instrumenteve dhe detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Vlerësimi i mëtejshëm i projektligjit, sipas Ministrisë, duhet të zhvillohet gjatë procedurës parlamentare dhe nga komisionet përkatëse të Kuvendit. Në veçanti, është përmendur Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj gjatë diskutimeve dhe fazave të mëtejshme të shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.