
Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj tij.
Aliu ka bërë të ditur se lajmin e ka marrë nga avokati i tij, ndërsa vendimi, sipas tij, është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.
“Kam marrë lajmin e mirë nga avokati im për vendimin për pushimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj meje. Ky vendim është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ai ka thënë se procesi hetimor kishte nisur para dy vitesh dhe, sipas tij, gjatë gjithë kohës ishte përcjellë me spekulime të shumta mediatike.
Aliu ka shtuar se përveç punës së tij si ministër, është hetuar edhe pasuria e tij dhe e familjes, përfshirë të hyrat ndër vite, të cilat, sipas tij, kanë qenë të deklaruara që nga viti 2011.
“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm”, ka shkruar ai.
Ish-ministri ka thënë se është i gatshëm të përballet me të vërtetën, duke shtuar se mund të vazhdojë të sulmohet me shpifje.
“Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën.”, ka shkruar Aliu.
Në fund, ai ka falënderuar të gjithë ata që, siç ka thënë, i kanë besuar.
Ndryshe, ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ishte intervistuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në gusht të këtij viti.
Aktualisht, ai ushtron pozitën e drejtorit të portit të Durrësit në Shqipëri.