Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Policia me detaje: Shoqëruam një protestues që hodhi mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore

Gazeta10
05 October 2026 - 16:02

Policia e Kosovës tha se po vazhdon me “masat dhe planifikimet e nevojshme” ndërsa po zhvillohet protesta përreth Kuvendit.

Policia njoftoi se një protestues është shoqëruar për në stacion policor për intervistim dhe “procedura të mëtejme” pasi “dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore”.

Në një komunikatë për media, Policia tha se se gjatë protestës disa persona “kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës”.

“Protesta e qytetarëve ka vazhduar edhe sot, duke qëndruar pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për të pritur votimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara. Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka vazhduar me masat dhe planifikimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës, në mënyrë që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore. Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë përreth objektit të Kuvendit të Kosovës, ku person/a të caktuar, pjesëmarrës në protestë, kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Policia tha se “me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të ndryshme”.

“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore, të cilin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, thuhet në komunikatë.

“Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, si dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës së Policisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.