Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përfundon seanca e jashtëzakonshme, protestuesit kanë paralajmëruar se s’do t’i lënë deputetët të dalin

Gazeta10
05 October 2026 - 16:35

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i ka mbyllur punimet e seancës së sotme të jashtëzakonshme, pas shqyrtimit të 22 pikave të rendit të ditës.

Pikë e parë ishte ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u votua në parim me 91 vota për dhe asnjë kundër. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, duke paralajmëruar për “rreziqe juridike, politike dhe ndërkombëtare” për shtetin.

Jashtë Kuvendit po qëndrojnë ende protestues, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do t’i lënë deputetët të dalin nga Kuvendi derisa të votohet edhe në lexim të dytë projektligji për Specialen.

Organizatori i protestave të përnatshme në shesh, Çlirim Haziri tha më herët se “deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të mund të dalin pa e votuar ligjin për Dhomat e Specializuara”.

Policia më herët njoftoi se një person është shoqëruar në stacion policor për hedhje të mjeteve piroteknike në drejtim të Kuvendit, ndërsa apeloi që protestuesit “të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet”.

“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi më herët që projektligji të procedohet edhe për votim përfundimtar sot deri në orën 17:30.

Nuk dihet ende nëse projektligji për Specialen do të rikthehet sot në seancë për lexim të dytë dhe votim përfundimtar. Sipas rregullave, para se të kalojë në lexim të dytë, projektligji duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës, ku mund të propozohen edhe amendamente.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme paralajmëroi se sot do të takohet sërish me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.