
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se kërkesa e partisë së tij është që të thirret seanca e Kuvendit dhe të votohet në lexim të dytë Projektligji për Dhomat e Specializuara.
Para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se për këtë çështje nuk kanë pasur komunikim me VV, ndërsa sipas tij nuk ka pengesë që projektligji të kalojë në procedurën e radhës.
“Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi, asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese apo çfarëdo dileme, pse ka kaluar në lexim të parë?”, tha Hamza.
Ai kritikoi zvarritjen e procedurave, duke thënë se projektligji ka kaluar fazat paraprake, por është ndalur në fazën finale.
“Po bëjka me kalu të gjitha procedurat, ndërsa kur po vjen në fazën finale, nuk po kalon. Këto janë çështje të ndara”, deklaroi ai.
Hamza tha se PDK-ja vazhdimisht ka kërkuar që projektligji të miratohet në dy lexime.
“Ne kemi folur vazhdimisht që ligji duhet të votohet në dy lexime. Nuk është ligj për PDK-në, UÇK-ja ka ekzistuar para PDK-së dhe partive të tjera”, tha Hamza.
Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Kuvendit që të thërrasin seancën për votimin e projektligjit në lexim të dytë.
“Unë i bëj ftesë Kurtit dhe Kuvendit që ta thërrasin seancën, që ta aprovojmë ligjin në lexim të dytë. Vendi ka mundur ta ketë presidentin, prandaj kërkesa jonë është të aprovohet ligji”, përfundoi Hamza.