
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas dhunës që thotë se e ushtroi dje Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës.
OVL-UÇK e ka dënuar ashpër veprimin e Policisë, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se e kanë vendosur Policinë përballë veteranëve të UÇK-së.
“Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon ashpër dhunën e ushtruar dje nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës.”
Sipas OVL UÇK-së, ajo që ka ndodhur përbën “njollë të rëndë” për institucionet e Kosovës.
“Ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet.”
OVL UÇK ka thënë se plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar dhe ka akuzuar pushtetin se ka urdhëruar përdorimin e dhunës ndaj tyre.